Kampi dhe fundjavat e aftësive

Kampi dhe fundjavat e aftësive

Rritja e aftësive të adoleshentëve me performancë të ulët për integrimin e tyre në arsimin profesional dhe punësim

Periudha: 07/2022 – 07/2024

Financuesi: UNICEF Albania

Në një hark kohor prej dy vitesh, projekti ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në angazhimin e të rinjve dhe promovimin e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Shqipëri. Grupet e synuara ishin dy, më konkretisht: nxënësit e klasave të 9-ta me qëllimin për t’i prezantuar ata me AFP-në dhe nxënësit e klasave të 10-a me performancë të ulët në AFP për të lehtësuar integrimin e tyre në AFP dhe zvogëluar shkallën e braktisjes.

“Kampet e aftësive”

Në korrik 2022, CCS ngriti kampet e “Skills Boost” në rrethet Tiranë dhe Korçë. Me pjesëmarrjen e mbi 150 të rinjve që kishin përfunduar klasën e 9-të, këto kampe shërbyen si inkubatorë të krijimtarisë dhe zhvillimit të aftësive, duke ofruar përvoja praktike në lëndët e AFP-së si gatimi dhe qepja, sesionet e orientimit në karrierë dhe mundësitë për rritje personale përmes aktiviteteve të tilla si komunikimi përmes artit, turneve sportive, seminareve të IT dhe shumë më tepër. Të ftuarit e veçantë, si këngëtarja Marsela Çibukaj, shërbyen si frymëzim për sesionet e orientimit në karrierë, duke ndarë me ta sfidat, mësimet dhe aftësitë e nevojshme për një karrierë të suksesshme.

“Ditët e AFP-së”

Gjatë vitit të dytë, fokusi i projektit u zhvendos në rreth 250 nxënës të klasave të 9-ta të regjistruar në shkollat e arsimit të detyrueshëm në rrethet pjesë të projektit. Nëpërmjet “Ditëve të AFP-së”, studentët vizituan ambientet e shkollave profesionale, u angazhuan në mini-kurse dhe ndërvepruan me mësues dhe ish-nxënës të suksesshëm të këtyre shkollave që tashmë kanë bizneset e tyre. Ky ekspozim gjithëpërfshirës ndaj arsimit AFP ka nxitur shumë studentë të konsiderojnë regjistrimin, duke kontribuar kështu në zhvillimin e tyre akademik dhe personal. Ditët e AFP-së janë përqafuar me entuziazëm si nga shkollat e 9-vjeçare ashtu dhe ato profesionale, duke përfaqësuar një model që duhet ndjekur dhe shumëfishuar në një shkallë më të gjerë.

Fundjavat e Aftësive

Në zemër të këtij projekti janë “Fundjavat Aftësive”, që kanë pasur ndikimin dhe jehonën më të madhe në shkollat e AFP-së. I zbatuar në 19 shkolla në 7 rrethe të Shqipërisë, ky komponent i projektit impakton rreth 1000 nxënës të klasave të 10-ta në këto rrethe. Në një seri aktivitetesh plot ngjyra dhe muzikë të kryera si në atraksionet e shumta turistike të Shqipërisë, ashtu edhe në shkolla, nxënësit u përfshinë në veprimtari që ndërthurnin lëndë si gjuhë dhe komunikim, matematikë dhe TIK me diskutime për orientimin e karrierës, grupe në fokus për aftësitë e buta, mbrojtja mjedisore dhe puna punë vullnetare, lëvizshmëria e gjelbër si dita e biçikletave, të cilat i shtynë studentët drejt rritjes personale, krijimit të një lidhjeje më të fortë me bashkëmoshatarët dhe mësuesit, dhe rritjes dëshirës për të ndjekur shkollën dhe për tu bërë pjesë integrale e saj.

Impakti përtej shkollave

Ndikimi i projektit shtrihet përtej kufijve të mureve të shkollave pjesëmarrëse, duke nxitur bashkëpunimin midis mësuesve, nxënësve, prindërve, bizneseve, institucioneve komunale dhe arsimore dhe më gjerë. Dinamika e përmirësuar e grupit dhe rritja e aftësive të komunikimit midis studentëve dhe mësuesve janë vetëm disa nga rezultatet e shumta pozitive të qasjes së aplikuar nga projekti. Së bashku, ne shpresojmë të kemi ofruar një model që shkollat mund ta përsërisin për një brez më të integruar dhe më të fuqizuar të të rinjve në Shqipëri.

Përfituesit:

  • +250 nxënës të klasës së 9-të kanë marrë pjesë në Ditët e AFP-së që synojnë njohjen dhe promovimin e arsimit të AFP-së.
  • Janë organizuar dy ‘Kampe për rritjen e aftësive’ dhe Korçë dhe Tiranë me pjesëmarrjen e rreth 150 nxënësve të klasave të 9-ta.
  • +330 Aktivitete të “Fundjavave të Aftësive‘ të organizuara deri më sot brenda mjediseve të shkollës, bizneseve, vendeve kulturore dhe historike, muzeumeve, parqeve natyrore, natyrës etj.
  • +1400 nxënës të klasave të 10-a në AFP kanë marrë pjesë të paktën një herë në Fundjavat e Aftësive, deri më sot.
  • +40 mësues të AFP-së të trajnuar për zbatimin e programit dhe identifikimin dhe trajtimin e sjelljeve të lidhura me traumën tek nxënësit.
  • +40 mësues të Arsimit të Mesëm dhe AFP të trajnuar për zbatimin e programit për Ditët e AFP-së
  • 21 shkolla të AFP pjesëmarrëse të shpërndara në 7 rrethe të Shqipërisë
  • 6 shkolla të arsimit të Detyruar nga 3 rrethe të Shqipërisë
  • +15 ekspertë te angazhuar për arsimin, orientimin në karrierë, mjedisin, artet, psikologjinë, sportin dhe lëvizshmërinë e gjelbër.

Dokumentet e projektit:

  • Programi me module për zhvillimin e aftësive bazë të studentëve të AFP-së.
  • Udhëzime për testimin e përvojave praktike të të nxënit të nxënësve të klasave të 9-a të arsimit të detyruar në shkollat e AFP-së.

Arritjet:

  • Në vitin e parë të zbatimit të projektit, rreth 90% e nxënësve kanë pasur ndryshime pozitive në aspektin psiko-emocional: janë më miqësorë, më komunikues me mësuesit dhe bashkëmoshatarët.
  • Gjithashtu, 86% e nxënësve kanë pasur ndryshime pozitive në ndjekjen e shkollës. Asnjë nga nxënësit e përfshirë në projekt nuk e ka lënë shkollën.
  • 79% e nxënësve kanë përmirësuar aftësitë bazë digjitale në përdorimin e Microsoft Word, PowerPoint, përdorimin e kompjuterëve për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit etj.
  • 75% e nxënësve kanë përmirësuar aftësitë bazë të komunikimit nëpërmjet prezantimit të vetes, komunikimit ndërpersonal, grafikës, PowerPoint-it, fotove dhe videove etj.