“Building Skills, Shaping Futures – On the Path to EU Integration” është një projekt që synon të mbështesë zhvillimin e aftësive për jetën dhe orientimin për karrierë në arsimin e mesëm të lartë në Shqipëri.
Projekti zbatohet nga UNICEF Albania, në partneritet me Qendrën për Aftësi Konkurruese (CCS), dhe ka në fokus forcimin e kapaciteteve të shkollave, mësuesve, drejtuesve dhe koordinatorëve të karrierës për të ofruar një qasje më të strukturuar, gjithëpërfshirëse dhe praktike ndaj zhvillimit të aftësive të nxënësve. Projekti ka kohëzgjatje 18 muaj dhe fokusohet në 30 shkolla të mesme të larta në bashki të përzgjedhura në Shqipëri.
Në qendër të projektit janë aftësitë e shekullit XXI, si mendimi kritik, komunikimi, bashkëpunimi, kreativiteti dhe aftësitë digjitale, të cilat janë thelbësore për përgatitjen e të rinjve për jetën, arsimin e mëtejshëm dhe tregun e punës. Projekti synon që këto aftësi të integrohen në mënyrë më të qëndrueshme në procesin mësimor, përmes moduleve digjitale, materialeve mbështetëse dhe trajnimit të mësuesve.
Një komponent i rëndësishëm i projektit është zhvillimi dhe zbatimi i një modeli të orientimit për karrierë në shkolla. Ky model do të ndihmojë nxënësit të njohin më mirë aftësitë, interesat dhe mundësitë e tyre, si dhe të marrin vendime më të informuara për rrugëtimin arsimor dhe profesional. Projekti do të nxisë gjithashtu lidhje më të forta midis shkollave, zyrave të punësimit, institucioneve të arsimit të lartë, bizneseve dhe komunitetit lokal.
Përmes ndërhyrjeve të tij, projekti do të mbështesë:
Projekti vendos theks të veçantë te përfshirja, barazia dhe qasja pa paragjykime në informacionin për karrierën. Ai synon të mbështesë të gjithë nxënësit, përfshirë ata që vijnë nga zona më të vogla, komunitete me më pak mundësi apo grupe më të cenueshme, duke u krijuar akses më të mirë në aftësi, informacion dhe mundësi zhvillimi.
Në nivel më të gjerë, projekti kontribuon në modernizimin e arsimit parauniversitar në Shqipëri dhe në përafrimin e tij me prioritetet e integrimit evropian, veçanërisht në fushën e arsimit, aftësive, punësimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.